Quantcast
Channel: Politika – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 8143

Shano: Për çfarë ka nevojë PD që të forcojë identitetin e saj

$
0
0

dritan shanoKoordinatori kombëtar në PD, Dritan Shano flet për çështjen më të debatueshme të politikës; dekriminalizimin, masat kundër-evazion të qeverisë, klimën në opozitë, si po “qeveris” Basha në krye të partisë, a ka ai ekip të besueshëm për të qeverisur nesër dhe çfarë duhet të bëjë PD për të forcuar identitetin e saj

Intervistoi: Nevila Perndoj

“A do t’i shkohet në fund pastrimit të politikës dhe administratës nga të inkriminuarit? Pse PD-ja kundërshton në parim masat kundër-evazion që ka marrë qeveria? Çfarë klime ka aktualisht në PD, a ka delegim përgjegjësish? A vazhdon ajo të jetë forca inspiruese për idetë dhe vlerat mbi të cilat ajo u themelua më shumë se dy dekada më parë? Për çfarë ka nevojë sot PD-ja që të përforcojë identitetin e saj? A është sot ekipi “Basha” garanci për një ofertë të besueshme qeverisëse për të nesërmen? Për të gjitha sa më sipër, koordinatori kombëtar në PD, Dritan Shano jep këndvështrimet e tij në një intervistë për gazetën “Mapo” .

Z.Shano, ta nisim nga debati i ditës, që lidhet me dekriminalizimin, për të cilin palët po “luftojnë” përmes draftesh … Si e shihni këtë debat dhe, a mendoni se do t’i shkohet në fund pastrimit të politikës dhe administratës nga të inkriminuarit?

Mendoj se palët nuk po “luftojnë” me drafte. Ta spostosh debatin nga realiteti te ndonjë “luftë” draftesh për dekriminalizimin është amorale. Sepse është e dukshme që politika e ka përfshirë krimin brenda radhëve të saj. Te mazhoranca mungon vullneti për ta luftuar kriminalizmin e politikës. Mazhoranca ka një vit që mblidhet kruspull, gëlltitet, shmanget, fshihet. Duket sikur gjen mbrojtje tek elementi kriminal brenda saj dhe i shërben atij. Ajo nuk po duket se do të ndahet prej tyre. Sjellja në politikë e tyre është veprim i përsëritur në nivel qendror dhe së fundmi edhe në atë lokal, pavarësisht presionit dhe paralajmërimeve. Është e qartë që i ka zgjedhur këta njerëz me shumë kujdes, me stilolaps në dorë. Dorëheqjet dhe proceset më të fundit që kanë ndodhur brenda radhëve të mazhorancës për t’i larguar këta elementë nga përfaqësimi politik kanë ndodhur me zor, ata i janë shkulur asaj me presion politik, publik, dhe përmes angazhimit të resurseve ndërkombëtare. Nga ana tjetër, Partia Demokratike e ka dekriminalizimin e politikës kauzë të vetën. Ka dalë dhe në shesh për këtë. Ka ndërmarrë dhe veprime konkrete brenda radhëve të saj. Që nga largimi i një kandidati për zgjedhjet lokale, të cilin ju këtu në Mapo e keni perifrazuar “japim Këlcyrën për Washingtonin” e deri te krijimi i Komisionit për verifikimin e figurave brenda PD-së, që kryesohet nga Dr. Halim Kosova. Këmbëngulja publikisht për dekriminalizimin dhe jo nëpërmjet ndonjë negociate me dyer të mbyllura shton presionin e gjerë qytetar mbi lidershipin që t’u largohet përfundimisht këtyre elementeve. Siç mund ta verifikoni fare thjesht edhe nga prononcimet më të fundit të Kryeministrit, kjo dukshëm nuk është luftë draftesh është luftë vullnetesh, ku ai i lidershipit socialist mungon.

Ndërkohë, qeveria po bën operacionin e radhës për vendosjen e ligjit, siç e quan ajo; kundër-evazionit. Përtej rasteve të deritashme (përfshi edhe disa qesharake, siç ishte arrestimi i dy berberëve), a nuk kishte ardhur koha që biznesi, e më së shumti ai i madhi, të kryente aktivitet të rregullt ligjor? Pse PD-ja e kundërshton në parim këtë masë, a nuk do të ishte më konstruktive që të shprehej pro, por duke hetuar e denoncuar selektivitetin apo korrupsionin që mund ta shoqërojë?

Ideja e aksionit është qesharake, është atavike. Aksioni në qeverisje nuk sjell qëndrueshmëri, nuk motivon. Ai është penalizues dhe shërben vetëm për të provuar se deri ku mund të ushtrohet pushteti i frikës dhe gjobës pa shkaktuar daljen e njerëzve në rrugë. Kjo vlen për të gjitha llojet e aksioneve, sado bukur të jetë paketuar qëllimi i tyre “i mirë”. Zakonisht, përmes aksioneve justifikohet paaftësia apo ndonjë zullum tjetër më i madh i pushtetarëve. Është fakt që sot kemi një acarim shoqëror nga kjo. Frikë, nervozizëm dhe jo mirëbesim, kohezion dhe aq më pak mirëqenie sociale nga e gjithë kjo. Ekonomia private i ul qepenat. Nuk mund të mbushësh arkën e shtetit që është zbrazur me 160 milionë dollarë te nafta, energjia, duhani, duke kërcënuar biznesin e vogël. Zgjedhja që ka bërë qeveria, t’i vizitojë 80 000 biznese fizikisht me ekipe tatimorësh (ku ka dhe ndihmën e inspektorëve të mjedisit, ujit etj.) ka pamjen dhe psikologjinë e vitit 1945, dhe rrëzon de facto sistemin fiskal shqiptar që është i bazuar te vetëdeklarimi. Është qasja më e gabuar, e konsideruar e tillë në të gjitha praktikat ndërkombëtare, kur gjithça ecën drejt moduleve të riskut. Reformat e ndërmarra deri më sot synojnë pikërisht eliminimin e kontaktit fizik mes inspektorëve tatimorë dhe sipërmarrjes. Thjeshtimin dhe automatizimin e proceseve. Për të zhdukur sa më shumë mundësinë e interpretimit të ligjit nga inspektori tatimor, abuzimin, arbitraritetin, diskrecionin, selektivitetin. Qeveria po amplifikon pikërisht këto mundësi. Kjo qasje e qeverisë është në fakt një kundër-reformë në tatime. PD është kundër kësaj qasjeje. Përkundrazi, ka një propozim të sajin, ku inspektori tatimor nuk do të shkelë më në derën e 80 000 bizneseve të qytetarëve shqiptarë.

Mendoj se është e pamundur që PD t’i kundërshtojë në parim masat kundër informalitetit dhe evazionit. Kjo është propaganda e qeverisë, e cila pretendon se ajo është e mira dhe kushdo që nuk është dakord me të është i keqi. Kjo është një qeveri që në të gjitha aksionet që ka ndërmarrë ka dështuar dhe vazhdon të tregojë me gisht popullin e vet, sipërmarrjen dhe qytetarët shqiptarë si fajtorë, si shkelës të ligjit, si kundravajtës, si mëkatarë dhe veten e saj si mbartësen e së drejtës, mençurisë, si shpëtimtaren, si reformuesen e madhe, dhe shumë shpejt edhe si atë që kthen ujin në verë apo mbush rrjetat e shqiptarëve me peshk. Çdokush që njeh themelin ideologjik të PD-së nuk mund të mendojë edhe një çast të vetëm se PD-ja nuk është në favor të çdo përpjekjeje për formalizimin e ekonomisë. Nuk mund të jetë ndryshe. Iniciativa individuale, sipërmarrja e lirë dhe ekonomia e tregut janë në themel të ekzistencës dhe propozimit të saj politik. PD, rolin e qeverisë e sheh si garante të kushteve të barabarta në treg, respektim të rregullave të lojës së ekonomisë së tregut, dhe jo si një sulm ndaj shqiptarëve.

Rreth një vit më parë, ju jeni shprehur se kandidimi juaj për anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së ishte hapi i parë i mbushjes së një boshllëku të krijuar në kohë mes jush dhe PD-së…Ju nuk u zgjodhët e megjithatë jeni një ndër koordinatorët e kryetarit Basha… Me angazhimin tuaj prej një viti në PD, a mendoni se e keni mbushur këtë boshllëk, apo ekzistojnë ende pengesa mes jush dhe PD-së? Në rast se po, cilat janë ato?

“Boshllëku” i krijuar në kohë mendoj se u kulmua me kandidimin tim në Këshillin Kombëtar dhe fjalën time nga tribuna e Kuvendit të Partisë Demokratike, ku fola të vërtetën time dhe ato gjëra në të cilat besoj. Vazhdoj ta bëj këtë rregullisht në shtypin e shkruar dhe mediat televizive. Si Koordinator Kombëtar kam një funksion politik dhe nuk bëhet fjalë të kem distancë me asnjë anëtar, aktivist apo simpatizant të Partisë Demokratike, sikundër e kam provuar në takime të drejtpërdrejta kudo ku kam qenë nëpër Shqipëri. Nuk kam asnjë pengesë përveçse garës së përditshme me veten. Çdokush sfidohet sot të jetë thjesht një “papaq politik” apo një “motor diesel”. Unë e kam bërë zgjedhjen time. Ajo do jetë një kontribut i qëndrueshëm, dhe jo sporadik i tipit “ma hidh pak dashin në krah, të më shohë ai”, që artikulon personazhi i xhaxhait Bamkë Qylollari kur, pas të nipit që mbante dashin, arriti në majë të shkallëve para dyerve ku bëhej ahengu, se në fakt s’kishte më fuqi t’i ngjiste vetë të gjitha shkallët me dashin mbi supe.

Duke e kaluar pyetjen në një plan më të gjerë, çfarë klime ka aktualisht në PD, a ka delegim përgjegjësish, dhe sa përçohen në politikat e lidershipit të opozitës mendimet dhe analizat që japin ekspertët në PD për fusha të caktuara?

Në PD mbizotëron një klimë e freskët. Kjo është e sigurt. PD ka dalë rregullisht me propozime konkrete si paketat fiskale 2013, 2014, 2015, amendime të ligjeve të ndryshme, ka organizuar tryeza për buxhetin, për reformën në arsim etj. Këto propozime krijohen, formulohen në konsultim me ekspertët përpara se të marrin formën e propozimit politik. PD-ja është opozita që ka bërë më shumë propozime alternative në këto dy vjet. PD-ja sot ka një strukturë ekspertësh që janë dhe anëtarë kryesie, siç janë shefat e departamenteve, siç ka dhe koordinatore, dobia e të cilëve është pikërisht ekspertiza e tyre profesionale. Nuk di në këto 25 vjet që një parti politike në opozitë të ketë pasur kaq shumë ekspertë të fushave të ndryshme, në dispozicion të saj, të motivuar dhe angazhuar politikisht.

A mbetet PD në këndvështrimin tuaj, forca e vetme e ndryshimit në këtë vend? A vazhdon ajo të jetë forca inspiruese për idetë dhe vlerat mbi të cilat ajo u themelua më shumë se dy dekada më parë?

Si kurrë më parë, që nga Dhjetori 1990. Pse e them këtë? Afërmendsh PD-ja ka problematikën e vet, për shfaqjet e së cilës, ajo si parti politike favorizohet apo ndëshkohet me vote nga shqiptarët, sikundër ka ndodhur. Por duke parë zhvillimet dhe involucionin e dhjetëvjeçarit të fundit tek e majta, mendoj se ndërsa për PD-në performancat negative apo zigzaget politike të këtyre 25 vjetëve, ku ka hyrë me dëshirë apo e detyruar nga rrethanat, janë sfidat dhe problematikat që duhen zgjidhur e përmirësuar, të gjitha këto për kampin socialist nuk janë as sfida dhe as problematika, por janë gjendja e tyre natyrale politike. Për këtë arsye, mendoj se PD-ja mbetet forca e vetme e ndryshimit në këtë vend. Më shumë se me të majtën, përballja e PD-së është me mentalitetin osmano-komunist te secili prej nesh. Zhvendosja e raportit që çdo shqiptar ka me pushtetin dhe institucionet, në favor të këtyre të fundit është sfida me e madhe që ka PD. Kjo sfidë duhet të përballohet në mënyrë të sinqertë dhe me këmbëngulje, jo rrallë e për mall, e duke i nënqeshur me hile asaj sa herë që duket sikur largon vota. Ndryshe vota dhe shpirti i shqiptarit do jetë gjithnjë në shitje. Këtu mendoj se do të ndërtohet qëndrueshmëria e ofertës politike, ekonomike dhe shoqërore të PD-së.

Për çfarë ka nevojë sot PD-ja që të përforcojë identitetin e saj duke pasur parasysh se ju vetë jeni një nga inspiruesit e frymës liberale?

Ka nevojë për një propozim të ri. Po kryhet. Ka nevojë të rrisë besueshmërinë e saj. Ka nevojë të ekspozojë të gjithë procesin e formulimit të politikave që do i propozojë qytetarëve dhe sipërmarrjes. Ka nevojë që këta të jenë pjesë e padiskutueshme e këtij procesi që të binden për seriozitetin dhe profesionalizmin politik të Partisë Demokratike. Ka nevojë të ritheksojë edhe njëherë se i gjithë arsyetimi politik i PD-së dominohet nga ndërtimi dhe jo shkatërrimi. Këtë do t’i duhet ta bëjë përulshëm, por fort, përmes një dialogu të drejtpërdrejtë me të gjitha shtresat e shoqërisë, duke veçuar të rinjtë. Për t’i dhënë atyre me shumë se një të tashme fantazmë, ndriçim në sy dhe mundësinë e një të ardhme të vërtetë europiane. Duke i edukuar politikisht dhe qytetarisht me vlerat e djathta të identitetit kombëtar, pronës private, konkurrencës, meritokracisë dhe lirisë politike dhe ekonomike. Duke ia shkulur frikën nga gjoksi, dhe dhënë dinjitetin njerëzor. Nëse flasim për një demokraci të re, ajo që e përcakton atë do të jetë suksesi dhe besueshmëria në proceset dhe ekipet e papërlyera që do i promovojnë këto vlera që synojnë prosperitetin e individit dhe familjes shqiptare. PD i ka të gjitha kapacitetet për ta përmbushur këtë mision. Ky është besimi im. Nuk dua kurrsesi që PD-ja të vijë në pushtet thjesht si e keqja më e vogël, por si alternativa më e mirë. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se përballë PD-ja më shumë se argumente do ketë një makinë të kolauduar dhe të mirë-financuar shpifjesh, sharjesh dhe propagande.

Është pak paradoksal fakti që, edhe pse fundi i kësaj vere dhe fillimvjeshta u shoqëruan me hipoteza dhe zhurmë për përçarje në mazhorancë, madje për konflikt Rama-Meta dhe në vend që kjo të nxirrte si alternativë më të besueshme opozitën, ndodh që edhe në këtë anë kemi zëra për dualizëm, reagim reaktiv por jo alternativ, mosefikasitet etj… Si e shpjegoni këtë?

Pavarësisht gjithë këtyre cilësimeve që ju bëni unë e vlerësoj opozitën e PD-së si:

  1. i) reaktive, për shkak se refuzon sjelljen më shumë prej të marri sesa politike të mazhorancës; ii) alternative, sepse në mënyrë të pandërprerë ka pasur propozimet e veta fiskale, buxhetore, ligjore, kushtetuese, zgjedhore; dhe iii) misionare, sepse mban lart kauzën e dekriminalizimit që është një e mirë e domosdoshme publike nga e cila do përfitojë çdo shqiptar. Situata që imagjinohet më shumë se ndonjë paradoks është çështje këndvështrimesh. Opozita e PD-së në vitet 1991 – ‘92 dhe 1997 – 2005 ishte e një formati revolucionar. Sot ajo është opozitë alternativash. Pikërisht ato që ju listoni si mungesa. Mjafton të shihni deklaratën e fundit të kryesisë me 5 pika. Në atë deklaratë ka një sukses opozitar që është dekriminalizimi i arritur me një stil krejt të ndryshëm nga më parë. Me këmbëngulje dhe pandalim. Ka një propozim fiskal që synon çlirimin e energjisë së ekonomisë shqiptare; ka edhe opozitë të ashpër pasi refuzohet pa asnjë ekuivok situata që sheh kryetarin e Parlamentit dhe ministrin e Brendshëm të strehuar në politikë.

A keni ndonjë koment për Bashën si kryetar i opozitës në këto dy vjet? A shihni ju ndonjë formë dualizmi mes tij dhe Berishës në marrjen e vendimeve në parti?

Po, e kam një koment. Të gjitha sinjalet që unë marr nga Basha si kryetar i opozitës, si kryetar i PD-së, janë të një maturimi gjithnjë e më të madh në performancën politike, të qasjes ndaj aleatëve apo qeverisë, në qasjen ndaj të përditshmes dhe afatgjatës, dhe në raportin që ruan mes formës dhe përmbajtjes. Të qenit konstant në qëndrimet politike e bën Bashën një partner gjithnjë e më të besueshëm për partnerët tanë ndërkombëtarë, por sidomos për gjithë shqiptarët. Do t’i jap gjithnjë mbështetjen dhe kontributin tim që ai të ruajë këtë nivel performance, që të zhvillojë gjithnjë e më tepër dimensionin e një lideri europian, bashkëpunues dhe i vendosur, duke u larguar gjithnjë e më shumë nga modelet politike që e përjetojnë lidershipin, pushtetin dhe opozitën me një nervozizëm të pashëndetshëm, që nuk buron nga ndonjë arsye jo-publike më e madhe se nevoja për vëmendje personale. Vendimet në parti i merr Kryetari, Kryesia, Grupi Parlamentar etj. Por, së fundmi vërehet një tendencë për t’i bërë të zëshëm qëndrimet politike të individëve të ndryshëm brenda dhe pranë PD-së që drejtpërdrejt synojnë të ndikojnë, ndryshojnë, modifikojnë vendimmarrjen dhe mënyrën e të bërit opozitë apo deri dhe mënyrën e të folurit të kryetarit Basha, sipas idesë dhe formimit që ata kanë sesi bëhet kjo punë. Me thënë të drejtën, nuk kuptoj pse për Sali Berishën mundësia për të dhënë mendimin e vet nuk duhet të ekzistojë natyrshëm pa u quajtur dualizëm?!

A është sot ekipi “Basha”garanci për një ofertë të besueshme qeverisëse për të nesërmen?

Nëse ekipi “Basha” përmbledh sekretariatin, drejtuesit e 22 departamenteve, drejtuesit e komisioneve parlamentare, koordinatorët dhe drejtuesit e degëve të PD-së numri e kalon 100, nga ky ekip të paktën gjysmës ia njoh dhe çmoj autoritetin politik dhe profesional, dhe këta në ditën më të keqe të tyre, në këto terma, janë më të besueshëm se çeta diletante që sot po qeveris vendin.

Ka zëra publikë që kërkojnë përfshirjen në kupolën drejtuese edhe të politikanëve kryesorë gjatë viteve 2005-2013, si Patozi, Bregu, Pollo, apo edhe Ruli…Ju çfarë mendimi ndani?

Emrat që ju përmendni janë te këta 100 njerëzit që thamë më lart. Secili matet me aftësinë për të prodhuar argument të ri politik, nga aftësia për të qenë të besueshëm për publikun. Të gjithë e dinë se këto janë kushte sine qua non për të justifikuar ekzistencën në politikë, për të justifikuar dhe bërë bilancin midis çfarë merr prej saj dhe ç’është ajo që i jep asaj.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 8143