Ish-kryeministri Sali Berisha i ka shprehur ngushëllime familjes së 31 vjeçarit Elson Nonaj, i cili vrau vetën pasi u gjobit me 5 milionë lekë nga punonjësit e tatimeve pasi nuk kishte kasë fiskale.
Në një postim në fb, ish-kryeministri Berisha thekson se, Nonaj ishte dhe viktima e parë e aksionit banditesk të tatimeve.
Sipas tij ky aksion është një terror që po i bëhet popullit, pasi Rama po kërkon të kompensojë 300 milionë eurot e vjedhura në tatime dhe dogana.
“Viktima e parë shtetërore e aksionit banditesk të tatimit të jashtëzakonshëm.
Të dashur miq, mediat njoftojnë viktimën e parë të terrorit shtetëror ndaj bizneseve që po ushtrohet në kuadrin e aksionit për tatimin e jashtëzakonshëm, me të cilin Edi Rama synon të kompensojë rreth 300 milionë euro të vjedhura në dogana, tatime dhe tendera me kontrabandë dhe evazion fiskal, nga ai dhe qeveritarët e tij gjatë këtij viti.
Viktima e këtij aksioni terrori të vërtetë ndaj bizneseve ishte 31- vjeçari Elsjon Nonaj, i cili, pasi e gjobitën 5 milionë lekë për kasën fiskale, i dha fund jetës së tij në servisin ku punonte duke kapur telat e korentit pas inspektimit brutal të fallangave të qeverisë.
Duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes të të ndjerit Elsjon Nonaj, për humbjen e njeriut të tyre më të dashur, dënoj me ashpërsinë më të madhe terrorin shtetëror ndaj biznesit që e shtyu atë drejt aktit të vetëflijimit, kërkoj ndalimin e menjëhershëm të aksionit stalinist ndaj bizneseve dhe i bëj thirrje prokurorisë së shtetit të vendosi para ligjit të gjithë shkaktarët dhe të gjithë ata që detyruan Elsjonin të ndahet përgjithmonë nga fëmijët dhe familja e tij e dashur. Sb”