Quantcast
Channel: Politika – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 8143

Reforma në drejtësi, Halimi: Si arritëm marrëveshjen

$
0
0

eduard halimiDeputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi flet për situatën postzgjedhore në PD, analizën që do të bëhet, negociatat me ndërkombëtarët për reformën në drejtësi, çfarë fitoi PD-ja në këto bisedime dhe cilat janë çështjet e mprehta të kësaj reforme

Intervistoi: Nevila Perndoj

 

Deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi shfaqet i kursyer në përgjigjet e tij për zhvillimet në PD dhe situatën postzgjedhore. Ai nuk i heq asnjë presje qëndrimit zyrtar të partisë për shumëçka në PD, që lidhet me mënyrën se si u zhvilluan këto zgjedhje, përgjegjësinë e strukturave, apo edhe diskutimeve për raportin PD-LSI. Megjithatë, ndër radhë Halimi shpjegon se analiza në PD nuk duhet të shoqërohet me gjaknxehtësi, dhe gjueti shtrigash. “…Analiza nuk bëhet me gjaknxehtësi, as me mllefe dhe inate. Analiza bëhet me gjakftohtësi e maturi. PD-ja nuk ka qenë kurrë një parti e gjuetisë së shtrigave apo prerjes së kokave. Është dhe do të jetë një parti e vlerave dhe krijimit të besimit te strukturat në radhë të parë e pastaj te qytetarët. Ka njësi ku besimi ka qenë i plotë dhe është shpërblyer, ashtu siç ka dhe njësi ku këto komponente kanë munguar”, – nënvizon ai. Halimi flet edhe për negociatat me ndërkombëtarët me qëllim përfshirjen e opozitës në komisionin për reformën në drejtësi. “…Arritja e marrëveshjes është meritë e partnerëve ndërkombëtarë dhe shpresoj që Rama t’i qëndrojë deri në fund…”, – shprehet ai. Halimi sqaron edhe kërkesat e PD-së në këto negociata.

“Ne kërkuam paritetin dhe bashkëdrejtimin. Gjatë bisedimeve PS-ja kërkoi të vendoste supervotën e kryetarit. Ne e pranuam këtë kërkesë të tyren, por me kushtin e firmosur dhe vendosur tashmë nga Kuvendi: supervota do të përdoret vetëm në rastet kur votat janë të barabarta dhe është e kushtëzuar plotësisht vetëm nga opinioni i ekspertëve ndërkombëtarë dhe Komisionit të Venecias…”, – shprehet ai. Halimi thekson gjithashtu se,  “kjo supervotë nuk do të përdoret për çështjet e transparencës, nuk do të përdoret për çështjet e gjithëpërfshirjes, pra marrjes së mendimit të grupeve të interesit, gjyqtarë, prokurorë, avokatë etj, dhe nuk do të përdoret për çështje të zgjidhjeve të ndryshme nëse Komisioni i Venecias dhe ekspertët ndërkombëtarë nuk shprehen se zgjidhja konkrete është në përputhje me standardet europiane”. Halimi thotë se marrëveshja e miratuar

në parlament për çështjen në fjalë është një marrëveshje që përfshin shqetësimet e opozitës dhe qytetarëve. Megjithatë, negociatat dhe bisedimet mes palëve për reformën duket se nuk do të jenë aspak të lehta. Halimi sjell një prej tyre. “…Personalisht më duhet të them se druaj se nëpërmjet kësaj reforme po kërkohet të ndryshohen edhe disa çështje në Kushtetutë që i përkasin modelit politik. Unë nuk besoj se është çështje e ekspertëve të drejtësisë modeli i zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Kjo është çështje tërësisht politike dhe i përket palëve politike për ta zgjidhur. Përfshirja e ekspertëve të drejtësisë apo më keq, përdorimi i tyre për t’i përfshirë në një debat tërësisht politik nuk besoj se i bën mirë reformës…”, – shprehet ai.

 

Z.Halimi, tashmë është pranuar edhe nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha se PD-ja në këto zgjedhje nuk mori rezultatin që priste. Paralelisht, Basha ka parashtruar një sërë shkeljesh duke i cilësuar zgjedhjet e 21 qershorit, si farsë. A mendoni se rezultati që mori opozita lidhet vetëm me faktorët që Basha ka përmendur si blerja e votës, kandidimi i njerëzve me rekorde kriminale, presioni ndaj administratës… etj., apo ajo lidhet ngushtësisht edhe me mosfunksionimin si duhet të strukturave të partisë në degë?

Për të qenë korrektë, kryetari Basha ka thënë se në disa bashki, rezultati nuk ishte ai që prisnim. Dhe nuk ka as më të voglin dyshim sot pas publikimit të raportit paraprak të OSBE/ODHIR se zgjedhjet e 21 qershorit u shoqëruan para dhe gjatë tyre me problem të rëndë, atë të standardeve. Pas këtij raporti paraprak dhe të dhënave që dalin çdo ditë, nuk është vetëm qëndrim i kryetarit Basha dhe opozitës, por një qëndrim i arbitrit kryesor, se zgjedhjet e 21 qershorit u bashkëshoqëruan me blerjen masive të votave, jo si një fenomen sporadik, por si një instrument për të fituar zgjedhjet, së bashku me përdorimin e krimit të organizuar dhe parave të tij, me kandidimin e personave me rekorde të tmerrshme kriminale. Këto pra nuk janë më pretendime. Këto janë fakte. Padyshim që në ato degë ku strukturat e PD-ja nuk kanë funksionuar siç duhet, kryetari Basha ka deklaruar pa asnjë ekuivok se PD-ja do të bëjë një analizë të plotë nga seksioni e deri në krye.

Në këndvështrimin tuaj, çfarë mendoni se nuk funksionoi në strategjinë e ndjekur nga PD-ja dhe kryesisht nga lidershipi i saj në këto zgjedhje?

Analiza nuk bëhet me gjaknxehtësi, as me mllefe dhe inate. Analiza bëhet me gjakftohtësi e maturi. PD-ja nuk ka qenë kurrë një parti e gjuetisë së shtrigave apo prerjes së kokave. Është dhe do të jetë një parti e vlerave dhe krijimit të besimit te strukturat në radhë të parë e pastaj te qytetarët. Ka njësi ku besimi ka qenë i plotë dhe është shpërblyer, ashtu siç ka dhe njësi ku këto komponente kanë munguar. Por për të bërë këtë analizë se çfarë funksionoi dhe çfarë jo, nga qeliza e partisë që është seksioni dhe deri tek lidershipi i saj, kryetari Basha ka paralajmëruar një analizë tërësore, për të cilën padyshim që dhe ju do të njiheni në javët dhe muajt e ardhshëm.

Pak ditë më parë, kryetari i PR-së, Fatmir Mediu tha se gjatë dy fushatave të fundit ai kishte dëgjuar eksponentë të PD-së, që shpreheshin se duhet të ishin të kujdesshëm me LSI-në, pasi ata mund të bëheshin prapë me PD-në… A ekziston një opinion i tillë brenda PD-së dhe përpos kontestimeve që shoqëruan zgjedhjet e 21 qershorit mes dy partive a mbetet LSI-ja një aleat i lakmueshëm për të djathtën me qëllim që kjo e fundit të vijë në pushtet?

Unë besoj se z. Mediu është keqkuptuar në deklaratën e tij nga mediat. PD-ja nuk zgjedh mes dy të këqijave.

Pak ditë më parë, kryetari i PD-së, Lulzim Basha paralajmëroi protesta në fillim të vjeshtës për krimin, korrupsionin dhe shkeljen e standardeve në zgjedhje. Për krimin dhe korrupsionin nuk është hera e parë që protestohet nën drejtimin e opozitës, ndërkohë që lidhur me zgjedhjet vjeshta shënon edhe analizën brenda PD-së për humbjen që kjo forcë politike pësoi… Sa bind teza për protesta në popull në këto kohë, dhe a mendoni se kjo është një strategji shteruese nga ana e opozitës që i kthehet herë pas here kësaj teze, por jo suksesshëm?

Unë besoj se opozita e ka për detyrë funksionale të saj qëndrimin në anën e qytetarëve dhe shqetësimeve të tyre më të forta. A është shqetësim shkatërrimi i standardeve të zgjedhjeve? Pa as më të voglin dyshim, po. Zgjedhjet janë themeli i demokracisë. A janë shqetësim mbarëpopullor krimi dhe siguria publike në vend? Pa as më të voglin dyshim që po. Krimi dhe siguria publike janë alfa e shqetësimeve për çdo prind, burrë, grua, për çdo biznes, për çdo qytetar që nis fëmijët në shkollë e deri në mbrëmje. A është problem mbarëpopullor korrupsioni? Pa as më të voglin dyshim që po. Grupet e punës që ka ngritur kryetari për hartimin e tezave dhe strategjive për sesionin e ri politik në shtator, kam besimin se do të sjellin një stinë politike të suksesshme për opozitën.

Opozita u bë pjesë e reformës në drejtësi në sajë të negociatave intensive me ndërkombëtarët. Pse pikërisht tani vendosët që të bëheni pjesë e reformës? A është kjo pasojë edhe e faktit që ju nuk iu bashkuat reformës administrativo-territoriale, që rezultoi në disfavorin e opozitës në këto zgjedhje?

Reforma në drejtësi është një reformë jashtëzakonisht e rëndësishme për vendin dhe qytetarët. Ajo duhet të jetë konsensuale, gjithëpërfshirëse, transparente dhe nën drejtimin e ekspertizës më të mirë europiane. Ky ka qenë qëndrimi zyrtar i PD-së një vit më parë në takimin e HLD-së mes opozitës dhe qeverisë dhe komisionerit të BE. Por dhe gjatë gjithë këtij viti prej kryetarit të PD-së dhe eksponentëve të PD-së. Nga ana saj, PS-ja refuzoi kërkesën për paritetin dhe bashkëdrejtimin, kërkesa këto që kishin të bënin me standardet europiane të kësaj reforme. Mazhoranca ka deklaruar me arrogancë se do ta bëjë e vetme reformën sepse ka numrat. Por pa opozitën kjo reformë nuk mund të jetë e qëndrueshme dhe jetëgjatë, sepse qeveria e re që do vijë mund ta zhbëjë dhe kështu kthehemi vazhdimisht në pikën zero. Kanë qenë muaj bisedimesh intensive me partnerët ndërkombëtarë që të bindnin mazhorancën që të hiqte dorë nga arroganca dhe të pranonte paritetin në komision, si dhe kushtin e mbikëqyrjes të ekspertizës ndërkombëtare e posaçërisht të Komisionit të Venecias si një garanci që kjo reformë nuk do të përdoret siç është përdorur deri tani për të kapur drejtësinë. Arritja e marrëveshjes është meritë e partnerëve ndërkombëtarë dhe shpresoj që Rama t’i qëndrojë deri në fund. Koha e marrëveshjes ka të bëjë me tërheqjen e mazhorancës nga skenari i arrogancës dhe jo me opozitën.

Ju fituat paritetin, por jo të drejtën e vetos…Si do t’i imponoheni mazhorancës për propozimet që ju do të konsideroni të nevojshme për sistemin e drejtësisë?

Ne nuk kemi kërkuar kurrë veton për reformën në drejtësi. Ky është vetëm një spekulim nga ana e PS-së dhe alibi për të vijuar e vetme. Ne kërkuam paritetin dhe bashkëdrejtimin. Gjatë bisedimeve PS-ja kërkoi të vendoste supervotën e kryetarit. Ne e pranuam këtë kërkesë të tyren, por me kushtin e firmosur dhe vendosur tashmë nga kuvendi: supervota do të përdoret vetëm në rastet kur votat janë të barabarta dhe është e kushtëzuar plotësisht vetëm nga opinioni i ekspertëve ndërkombëtarë dhe Komisionit të Venecias. Kjo supervotë nuk do të përdoret për çështjet e transparencës, nuk do të përdoret për çështjet e gjithëpërfshirjes, pra marrjes së mendimit të grupeve të interesit, gjyqtarë, prokurorë, avokatë etj., dhe nuk do të përdoret për çështje të zgjidhjeve të ndryshme nëse Komisioni i Venecias dhe ekspertët ndërkombëtarë nuk shprehen se zgjidhja konkrete është në përputhje me standardet europiane.

Shqetësimi i opozitës ka të bëjë me respektimin e standardeve europiane për një drejtësi të pavarur, eficente dhe llogaridhënëse, e sigurisht të pakorruptuar. Marrëveshja e miratuar në parlament është një marrëveshje që përfshin shqetësimet e opozitës dhe qytetarëve.

Në cilat pika nuk pajtoheni me mazhorancën për draft-propozimet e deritashme që lidhen me reformën në drejtësi?

T’ua themi hapur dhe pa hipokrizi shqiptarëve se ajo që ka ndodhur në këto dy vjet nga mazhoranca me ligjet për drejtësinë nuk kanë të bëjnë me shqetësimin e qytetarëve. Ligji për KLD-në, për Gjykatën e Lartë apo Shkollën e Magjistraturës (tri ligjet e vjetshme) nuk kanë pasur të bëjnë me luftën ndaj korrupsionit apo rritjen e pavarësisë, por kanë patur të bëjnë vetëm me kapjen e institucioneve. Me zëvendësimin e njerëzve në institucione me militantë politikë të PS-së.

Është po ashtu e qartë se Rama nuk ka patur asnjë strategji për reformën në drejtësi përveç sulmeve jakobine ndaj tyre. Nuk ka patur as në programin elektoral, as në programin qeveritar dhe nuk e ka edhe sot e kësaj dite. Zero. Ka vetëm sulmin jakobin. Banda, banditë, kriminelë të cilët duhet të largohen. Kjo është e kuptueshme për çdo qytetar sot. Ne akoma nuk kemi parë as ndonjë strategji dhe as ndonjë plan veprimi, e aq më pak draft për zgjidhjen e problemeve dhe shqetësimeve që kanë qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë. Ka disa teza të hedhura në media, të cilat nuk di nëse janë reale apo spekulim mediatik. Ndaj nuk mund të shprehem rreth tyre. Sapo të njihemi zyrtarisht me to në javën e ardhshme, anëtarët e komisionit që i përkasin opozitës do të mblidhen dhe do t’i analizojnë për të dhënë edhe alternativat e tyre. Por personalisht më duhet të them se druaj se nëpërmjet kësaj reforme po kërkohet të ndryshohen edhe disa çështje në Kushtetutë që i përkasin modelit politik. Unë nuk besoj se është çështje e ekspertëve të drejtësisë modeli i zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Kjo është çështje tërësisht politike dhe iu përket palëve politike për ta zgjidhur. Përfshirja e ekspertëve të drejtësisë apo më keq përdorimi i tyre për t’i përfshirë në një debat tërësisht politik nuk besoj se i bën mirë reformës. Po ashtu, implementimi në Kushtetutë i instrumenteve bllokuese nuk i shërben një demokracie funksionale dhe të qëndrueshme. Ndaj, unë mendoj se çështje të tilla i përkasin politikës dhe kanë të bëjnë me vizionin politik dhe aspak teknik. Ashtu si dhe strategjia e drejtësisë duhet të ketë brenda vizionin politik të palëve politike. Por ky vizion domosdoshmërisht duhet të jetë i lidhur me standardet europiane dhe jo standardin e të fortit dhe arrogantit, unë kam votat dhe eci vetë para, sepse dihet se arroganca i paraprin shkatërrimit.

Pak ditë më parë, ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin deklaroi se duhet reformuar Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pasi vetëm kështu mund të kthehet besimi te qytetarët… Në këndvështrimin tuaj, a është e nevojshme që të ndërhyhet edhe tek KLD-ja?

Padyshim që duhet të ndërhyhet në KLD dhe për këtë PD-ja dhe kryetari i saj, Basha, kanë paraqitur një draft sesi duhej reformuar fiks një vit më parë. Draft që kishte dhe ka brenda vizionin dhe qasjen europiane. Por Rama nuk e pranoi fare këtë alternativë dhe eci me parimin ballkanik, e reformoj vetëm kur ta kem nën vete. Dhe e kapi KLD-në duke çuar aty tre militantë të PS-së, tre kamikazë politikë. Reforma duhet të fillojë nga depolitizimi i KLD-së. Sepse mekanizmin se e reformoj kur ta kem nën vete, e reformoj kur ta kem të kapur KLD-në, është vrastar për pavarësinë e drejtësisë dhe shtetin ligjor dhe të së drejtës, për të cilën qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë flasin çdo ditë.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 8143