Quantcast
Channel: Politika – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 8143

Pronat, ligji i ri, histori e vjetër

$
0
0

ish- pronaretKalvari i gjatë i problemit të pronësisë në vendin tonë dhe copëtimi i saj që çoi në një situatë drejt kufijve të pazgjidhshmërisë. Çfarë parashikon ligji i ri i kompensimit të pronave dhe reagimet e përfaqësuesve të ish-pronarëve

Nga Sebi Alla

 

Me dokumente ata janë të pasur, persona me mijëra metra katror troje e ndërtesa, por në realitet mbesin vetëm ca fatkeq, që quhen ish-pronarë. Të varfër në ekonomi, të vrarë nga trajtimi që u është bërë dhe të pashpresë se do rifitojnë pasurinë e të parëve. Pronat e tyre janë rrëmbyer, sekuestruar, zënë nga më të fortët, dhunuar  nga më të zotët, tjetërsuar nga zyrtarë të lartë, përlyer shpesh edhe nga politikanë. Dhe ata sërish mbesin ish…, që kalojën vite në dyert e gjykatave, plaken në radhët e gjata të hipotekave dhe ende frymën ua mban një fije shpresë se mos diçka do ndryshoje.

Çështja e pronave është rikthyer sërish në vëmendje, në diskutime dhe kundërshtime të shumta. Qeveria ka paraqitur një draft të ri të projektligjit për pronat, që sipas saj, i jep fund kalvarit të gjatë të pritjes, por edhe të pazgjidhshmërisë së këtij problemi. Për tri vite pritet të shqyrtohen 9300 dosje pronash që gjenden të dorëzua pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave, ndërsa gjashtë muaj është lënë afati për të gjithë ata që nuk kanë patur mundësi të aplikojnë deri më tani për njohje pronësie.

Për vlerësimin e kompensimit financiar për 26 mijë dosje të tjera që u është njohur e drejta e pronësisë, ka afat 3 deri 4 vite. Ndërkohë për çeljen e fondit me vlerë mesatare vjetore 5 miliardë lekë, për kompensimin e pronarëve për një afat 10-vjeçar. Por ish-pronarët kundërshtojnë jo më kohën e trajtimit të pronave, por kryesisht vlerën monetare të përcaktuar për kompensim.

Tjetërsimi i pronave nisi që në vitet e para të pushtetit komunist. Kulakë u quajtën pronarët e mëdhenj të tokave, apo të tjerë që nuk i bindeshin vijës së partisë. Përveç tjetërsimit të pronave, shkoi edhe në dorëzimin me “dëshirë” ku gjithçka u shtetëzua kur u krijuan fermat dhe kooperativat bujqësore.

Ndërsa disa pronarë dergjeshin burgjeve edhe për faktin se ishin të pasur njëherë e një kohë. Për ta situata lëvizi pas vitit 1990, kur ndryshuan pushtetet. Prona të kthej tek i zoti, por këtu ndodhi “shqyerja” tjetër e radhës, gati e dhimbshme njësoj si më parë. Fillimisht u aplikua ligji 7501 për tokat bujqësore, që e ndan atë jo sipas pronarëve të vjetër, por në bazë të frymëve të personave që jetonin në fshat në ato momente, në gusht të vitit 1991. Në këtë mënyrë, kushdo që kishte realizuar e tejkaluar “planin” për fëmijë më shumë, fitonte edhe tokë më tepër, paçka se të parët mund t’u kishin lënë vetëm ca ngastra të vogla. Në zonat rurale ku u aplikua ligji 7501, të gjithë ishin të barabartë, prona u copëzua, pa u pyetur se e kush e zotëronte më parë. Në qytete ndodhi tjetër “reforme agrare”, pasi u fut në lojë masivisht zënia e tokave.

Sidomos në vitet 1993-1997 u zaptuan mijëra hektarë troje, ndërsa pronarët e vjetër të tyre nuk gjenin mbështetje askund. Nuk pyetej kush ishte pronari i mëparshëm dhe cilët ishin trashëgimtarët, por kushdo zgjati duar e metër dhe rrëmbyen shumë troje, kryesisht ato që sot njihen si zona informale, përqark qyteteve të mëdha të futura në proces legalizimi. Për pronarët e vjetër ngeli vetëm t’i drejtoheshin gjykatës ose Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, që vetëm i njihte ata si pronarë të ligjshëm, por pronë kurrë nuk panë me sy. Për më shumë edhe kompensimet financiare ngjanin larg e më larg.

Një mënyrë kompensimi fizik ishte edhe dhënia e trojeve të ndryshme në bregdet, apo në toka të lira bujqësore që ishin në pronësi të shtetit. Edhe këtu ishin të tjerë që zgjatën duart më parë. Kryesisht biznesmenë të lidhur me pushtetarë qendrorë dhe lokalë, qenë të privilegjuarit që u bënë pronarë, pa qenë më parë të tillë. Ndërsa qeveritë majtas e djathtas, që rotacionin e kryenin me njëri-tjetrin, premtuan pafund, por në fund të fundit, nuk dhanë asgjë.

Pronarët e vjetër në vend të trashëgimit të pasurisë nga të parët, sot kanë “hipotekuar” kalvarin e gjatë të pritjes dhe përbuzjes në institucionet shtetërore. Me Kushtetutë, por edhe e njohur botërisht, një pronë përfitohet me blerje, trashëgim, apo dhurim, ndërsa në vendin tonë është aplikuar metoda e rrëmbimit, tjetërsimit apo falsifikimit.

 

Pronat, qeveria dhe pronarët, debat për çmimin e kompensimit

Largimi i pronarëve nga takimi i qeverisë dy ditë më parë ka të bëjë me mospajtimin e tyre me atë që parashikon ky ligj, në të drejtën e pronarëve për të marrë pronat e tyre. Përfaqësues të komunitetit të pronarëve kanë shprehur dje hapur pakënaqësinë për draftin e paraqitur nga qeveria duke e cilësuar atë si në kundërshtim me parimet e së drejtës, Kushtetutën dhe Kartën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Sipas sekretarit të përgjithshëm të Shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Agim Toro, në mënyrë të qëllimshme në ligj nuk ekziston më koncepti i kthimit të pronës, duke lënë vetëm atë të kompensimit. “Është hequr koncepti i kthimit të pronës, nuk ka më kthim të pronës, por ka kompensim dhe ky kompensim do të bëhet sipas qejfit dhe interesit të qeverisë, duke e vlerësuar me çmimet e viteve ‘45 për pronarët dhe duke vlerësuar tokën me çmimet e viteve 15 për shtetin”, – tha Agim Toro, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës “Pronësi me Drejtësi”.

Por për drejtoreshën e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, pretendimet e pronarëve legjitimë nuk janë të mbështetura në argumente të qëndrueshme, ndaj dhe tenton të sqarojë për ta formulën për kompensimin financiar të 26 mijë dosjeve që presin për t’u kompensuar në favor të pronarëve pa përcaktuar mënyrën sesi, si dhe 9300 dosjeve të tjera që do të shqyrtohen në një afat trevjeçar, sipas ligjit të ri. Në sqarimin e saj, ajo konfirmon në fakt shqetësimin e ngritur dy ditë më parë edhe nga PD, ku tokat që dikur janë shpronësuar si tokë bujqësore, sot do kompensohen për të njëjtën tokë me të njëjtin status, pra tokë bujqësore, por me çmimin real të tregut sot.

“Në qoftë se pronarët nuk e kanë kuptuar që ky draft-ligj njeh procesin e kthimit si një proces njohjeje prone dhe kompensimi fizik në pronën e njohur, atëherë ky është një sqarim të cilin në ditët e ardhshme me siguri do ta bëjmë me njëri-tjetrin. Instrumenti është i njëjtë për të tërë ata që në vitin e shpronësimit e kanë patur tokën zë kadastral tokë bujqësore dhe sot e kanë tokë truall do të kompensohet me zërin kadastral tokë bujqësore, por me vlerën aktuale të tregut për këtë zë kadastral”, – thotë Sonila Qato, drejtoresha e AKKP-së.

Pra sipas këtij sqarimi, shteti me këtë projektligj nuk njeh zhvillimin që ka sjellë koha për një pronë të caktuar, pavarësisht se dikur ka qenë tokë bujqësore, ndërsa sot mund të jetë një tokë-truall.

Thënë ndryshe, të gjitha tokat që mund të jenë shpronësuar nga regjimi komunist në gjithë Tiranën e dikurshme, e cila në pjesën më të madhe ishte zonë rurale dhe që sot është zhvilluar në një nga zonat më të shtrenjta, do të kompensohen nga shteti aktual si toka bujqësore por me çmime aktuale. Ligji i ri vendos një afat 3-vjeçar për shqyrtimin e 9300 dosjeve, afat 6-mujor për të gjithë ata që nuk kanë patur mundësi të aplikojnë deri më tani për njohje pronësie, afat 3 deri në 4 vite për vlerësimin e kompensimit financiar për 26 mijë dosje të tjera që u është njohur e drejta e pronësisë.

Projektligji propozon që të krijohet një fond special, i cili nuk do digjet, siç ndodh me çdo fond tjetër buxhetor në fund të vitit, por ai të mbartet për vitin pasardhës dhe të përdoret vetëm për kompensimin e pronarëve. Në projektligj paraqitet qartë që financimi vjetor mesatar çdo vit do të jetë rreth 5 miliardë lekë.

 

Vorpsi: Do e çojmë ligjin në gjykatë

Pronarët paralajmërojnë se nuk do ta lejojnë qeverinë që ta miratojë në formën e paraqitur projektligjin për kompensimin e pronave.

Por në rast se mazhoranca nuk tërhiqet nga formula e paraqitur, atëherë ata bëjnë të ditur se do t’u drejtohen institucioneve të drejtësisë për ta rrëzuar atë. Këtë e ka bërë të ditur dje kryetari i Shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Myrshit Vorpsi, i cili tha se ky ligj nuk e zgjidh problemin disavjeçar, por kthehet në një barrë fiskale për pronarët.

“Është një lodër shumë e keqe që është kundër interesave të pronarëve. Është një lodër që patjetër do të vazhdojë në Gjykatën Kushtetuese për ta mbyllur dhe që patjetër do të vazhdojë lufta në Gjykatën e Strasburgut”, – tha Vorpsi.

Më tej ai shtoi se nga ana e qeverisë janë përdor mekanizma të atillë që dëmtojnë interesat e pronarëve, ndërsa denoncon pikërisht thelbin e këtij projektligji që është pikërisht formula e kompensimit. Te ky projektligj që ka paraqitur qeveria, tokë-truall quhet ajo që ka qenë e tillë në vitin 1945. Kjo do të thotë që as më shumë e as më pak rreth 2/3 të kësaj sipërfaqeje toke, rreth 15 mijë ha, ku përfshihen edhe shtëpitë që i janë kthyer pronarëve të reduktohet deri në 5 mijë ha maksimumi, ndërkohë që sipërfaqja e tokës për kompensim, por që do të kompensohet tokë bujqësore, është kjo diferenca tjetër 8-10 mijë ha”, – shtoi Vorpsi. Gjithashtu ai ka ngritur edhe shqetësimin që ka të bëjë me përdorimin e termave kthim dhe kompensim prone.

Sipas tij, qeveria qëllimisht nuk e përdor termin kthim, për të mos njohur kthimin e pronës. “Qeveria ka bërë edhe një lëvizje tjetër. Edhe këtë 5 mijë ha që iu është kthyer pronarëve të Shqipërisë, i thotë unë nuk ta njoh për kthim prone, por ta njoh për kompensim, por me çmimin që kam vendosur sot, jo me atë që kërkojë ti atëherë”, – tha Vorpsi.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 8143