Shënohet një tjetër përplasje mes dy partive kryesore të koalicionit qeverisës, PS dhe LSI.
Këtë herë bëhet fjalë për përzgjedhjen e anëtarëve të Autoritetit për Informimin për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.
Sipas gazetës Shqip, në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, deputeti i LSI, Spartak Braho, ka kërkuar që përzgjedhja të bëhet edhe nga Komisioni i Sigurisë, jo vetëm nga Komisioni i Ligjeve.
Por ai është kundërshtuar ashpër nga nënkryetarja e Kuvendit, socialistja Valentina Leskaj dhe kreu i Grupit Parlamentar të PS, Gramoz Ruçi.
Leskaj i tha Brahos se kërkesa e tij bie në kundërshtim me praktikën e ndjekur nga Kuvendi për seancat dëgjimore.
Ndërkohë Braho kundërshtoi, duke theksuar se nëse e bën Komisioni i Ligjeve, duhet ta bëjë edhe Komisioni i Sigurisë.
Debatin e ka mbyllur Gramoz Ruçi, i cili ishte i prrerë.
“Jo, kjo është një e drejtë ekskluzive e Komisionit të Ligjeve”, tha Ruçi.