Të jesh në opozitë, përveç komoditetit që të jep e drejta e kritikës dhe akuzës për çdo gjë, gëzon dhe shumë privilegj të tjera.
Por përfaqësuesit kryesorë të PD-së, po t’i shohësh duke zbritur nga makinat nuk të lënë përshtypje sikur janë në opozitë.
Edhe pse kanë dy vjet që kanë hequr dorë nga privilegjet që të jep pushteti, pjesa dërrmuese e demokratëve vijojnë të ngasin makina sipër 100 mijë eurove.
T’i marrim një nga një. Kreu aktual i PD-së, Lulzim Basha dhe ai i mëparshmi, Sali Berisha, kanë të njëjtën shije sa i përket makinave.
Të dy kanë privilegjin të “shëtisin” rrugëve të Shqipërisë me Mercedez Benz, 5 mijë kubikësh.
Duket se modeli “Benz S 500” është makina që kanë më përzemër demokratët, pasi të njëjtën markë dhe tip, përdorin ish-ministri i Financave Ridvan Bode, ndërsa ish-ministri i Mbrojtjes e i Mjedisit, Fatmir Mediu nget një “Volkswagen Phaeton”.
Një tjetër figurë e njohur nga radhët e demokratëve që është i fiksuar pas “Mercedez- Benz S 500” është kryetari i bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu.
Madje “Mercedezi” i këtij të fundit është më ekstra për nga opsionet, çka do të thotë se dhe vlera e tij është më e lartë.
Të gjitha këto makina kanë një konsum të lartë. Ato harxhojnë plot 25 litra karburant në 100 kilometra në rrugët urbane, aq më tepër në tonat të mbushura me trafik, ndonëse në katalog për të tregohet se harxhon jo më tepër se 10 -11 litra.
Ndërsa vlera e tyre me kilometrazh zero shkon nga 120 mijë euro deri në 200 mijë.
Ndërkohë ndryshe nga grupi i demokratëve që janë të apasionuar pas “S 500”, ish-ministri Genc Ruli nget një “ML 500”, vlera e të cilit mund të shkojë te 40 mijë euro.
Ky lloj automjeti, harxhon afërsisht 20 litra në 100 kilometra kur është me benzinë.
Ndërkohë grupi i deputetëve të rinj demokratë, si Oerd Bylykbashi, Eduard Halimi apo Arben Ristani, nuk mbeten më prapa.
Bylykbashi ka një veturë “Mercedez- Benz E Class”, 270 CDI, e cila nuk harxhon më pak se 15 litra në 100 kilometra në trafikun urban, ndërsa çmimi i makinës së Eduard Halimit është i lartë, por nuk harxhon shumë sepse motori i tij është vetëm 220 kubikë.
I vetmi nga ish-ministrat që ka një makinë “BMW seria 7” modeli “L” është Flamur Noka. Po ashtu edhe numri dy i PD-së, Edi Paloka përdor markën “BMW”.