Kur u zgjodh si Avokat i Popullit, Igli Totozani ndjeu një çlirim.
Ishte një propozim i opozitës së asaj kohe dhe vinte nga një kohë e gjatë si analist në media.
Por kohët e fundit mund të keni vënë re që doza e kritikave të tij është shtuar.
Për shkak se Avokati i Popullit vazhdon të jetë një institucion i dobët, kritikat e tij nuk kanë rënë shumë në sy.
Por diçka po ndodh me Totozanin, që ndonjë media e ka sulmuar për një marrëveshje bashkëpunimi mes tij dhe një OJF-je, që drejtohet nga e shoqja.
Madje thuhet se ILDKP po e heton Avokatin e Popullit.
Ndërkohë vetë Totozani mori pjesë në Kongresin e 9-të të Shoqatës së Ombudsmanëve dhe Ndërmjetësuesve Frankofonë (AOMF), që u mbajt në datat 13-15 tetor 2015 në Quebec të Kanadasë, nga ku shëprtheu në kritika.
“Puna e Ombudsmanit në vendet me demokraci ende të pakonsoliduar është një sfidë e madhe. Këto vende karakterizohen nga një “paradoks” i madh, ai midis një rendi kushtetues demokratik nga njëra anë dhe mungesës së kulturës demokratike nga ana tjeter. Ky paradoks është burimi i një tensioni të madh, pasi në mungesë të kësaj kulture administrata publike shpesh shkel ligjet, ose së paku realizon një përdorim abuziv të normës juridike. Vështirësia e Ombudsmanit është e dyfishtë në këtë rast; ai duhet nga njëra anë të korrigjojë dhe përmirësojë administratën publike dhe nga ana tjetër të përhapë një kulturë të tillë demokratike. Mungesa e kësaj kulture sjell moskuptim të rolit të Ombudsmanit. Shpesh kritikat e tij apo dhe rekomandimet konsiderohen sulme nga aktorët politikë dhe qeverisës. Shpesh rekomandimeve të tij nuk i kthehet as përgjigje. Por udhëheqësit tanë duhet të kuptojnë se qëndrimi ndaj Ombudsmanit është një nga indikatorët më elokuentë dhe më të saktë të nivelit të demokracisë në një vend. Kjo e fundit duhet të jetë e qartë për këdo. Mosbashkëpunimi me Ombudsmanin shkon drejtpërdrejtë në dëm të qytetarëve,” tha ai.
Totozani u rizgjodh me unanimitet të plotë për të dytën herë radhazi anëtar i Bordit drejtues të Organizates.