Quantcast
Channel: Politika – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 8143

Ristani: Disa kryetarë degësh përdorën retorikë fyese

$
0
0

arben ristani“Dhe sigurisht, etika është një kusht, pa të cilin ne nuk mund të krijojmë harmoninë e duhur në strukturat tona”

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani kërkon etikë në komunikim nga baza e deri në qendër.

Në një deklarim për mediat, Ristani u referohet pikësëpari qëndrimeve nga disa krerë degësh të Partisë Demokratike. Për pasojë, edhe debatin e kohëve të fundit mes ish-ministrave dhe krerëve të degëve ai e sheh në një këndvështrim etik.

“Mbase vlen të sqarohet diçka nga ky takim  i grupit të deputetëve të PD-së herën e kaluar, kur u diskutua kjo çështje. Ajo që është diskutuar është etika, dmth, nuk është problematika në thelb, sepse të dhënat që ne kishim, ishin që disa kryetarë degësh kishin përdorur retorikë fyese në fjalët e tyre, pa përmbajtje në raport me problematikat politike të partisë dhe e gjithë çështja nuk ishte pse ata kritikojnë, çështja ishte pse nuk janë etikë dhe pse flasin me gjuhë të tillë. Dhe sigurisht,etika është një kusht pa të cilin ne nuk mund të krijojmë harmoninë e duhur në strukturat tona”, – tha ai.

Ristani pranon gjithashtu se brenda partisë jo çdo gjë shkon vaj mes të rinjve dhe të vjetërve. Megjithatë, ai thekson se kohezioni ekziston.

“Partia Demokratike ka një ndërthurje të mirë të përvojës me të renë. Ne jemi përpjekur shumë e madje kemi qenë ndoshta edhe pak xhelozë në këtë pjesë që ta ruajmë kohezionin, ta ruajmë bashkëpunimin mes së vjetrës e së resë. Është një barrë e madhe përvoje, që një pjesë e madhe e njerëzve në Partinë Demokratike e trashëgojnë me vite të tëra nga e kaluara dhe energjia që sjell pjesa e re në PD janë – për mua – në kohezion. Sigurisht probleme ka, asgjë nuk shkon vaj, por është një kohezion shumë i mirë që funksionon”,- tha ai.

Analiza që ka nisur në bazë, pritet të mbyllet javën e parë të nëntorit. Ristani sqaroi se në këtë proces nuk do të gjykohet me masa drastike.

“Nëse rezultati është i dobët, nuk do të thotë se do të ketë pasoja ekstreme. Çështja shtrohet nëse kemi thyerje të rregullave bazë të PD-së”, – tha ai.

Sipas tij, diku është performuar mire, por ka vend edhe për korrigjime.

“Diku ka performuar mirë, diku me gabime, sigurisht që ndeshemi para faktit se ka pjesë të anëtarësisë fiktive, pjesë të seksioneve që nuk janë plotësuar, ka titullarë që mungojnë, që nuk kanë punuar mirë në zgjedhjet e kaluara. Kështu që për të gjitha këto u mendua që krahas analizës së rezultatit të zgjedhjeve vendore që kaluan, të bëhej edhe një riorganizim i PD-së për t’u bërë gati për sfidat e ardhshme”, – tha ai.

Për analizën në bazë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shpërndarë tashmë edhe një udhëzim.

Në çdo degë analiza do të bëhet në mbledhjen e kryesisë, e cila do të hapet me raportin analitik mbi ecurinë e procesit zgjedhor në degë, i hartuar nga kryetari dhe sekretari i degës.

Raporti duhet të shoqërohet me materialin e rezultateve, që duhet të përmbajë të dhëna për çdo qendër votimi, si dhe rezultatet për çdo grup-seksion.

Pas paraqitjes së raportit, kryesitë do të marrin në shqyrtim: problematikat e brendshme; funksionimin e strukturave dhe fushatës; prezencën e anëtarësisë dhe strukturës në terren; nivelin e angazhimit të anëtarësisë dhe drejtuesve të strukturës gjatë fushatës; funksionimin e departamenteve të degës; kohezionin dhe atmosferën e bashkëpunimit, si dhe rolin në fushatë të organizatave partnere të FRPD-së e LDG.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 8143