Quantcast
Channel: Politika – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 8143

“Tirana pa makina”: A duhet bërë e përjavshme?

$
0
0

tirana pa makinaKreu i Bashkisë së Tiranës ka përuruar dje parkimin e parë eco-publik në Tiranë me 118 vende. Parkimi do jetë me pagesë 100 lekë ora dhe të ardhurat do shkojnë për korsitë e biçikletave dhe lulishte

Tirana i është gëzuar një tjetër dite pa makina.

Qindra qytetarë, kryesisht të rinj dhe fëmijë, i janë bashkuar nismës së Bashkisë së Tiranës për të promovuar kulturën e përdorimit sa më pak të makinës dhe më shumë të mjeteve të tjera ekologjike të lëvizjes, siç është biçikleta apo mjetet e transportit publik.

Pjesë e aktiviteteve të organizuara me këtë rast është bërë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka theksuar se ditë të tilla i shërbejnë në radhë të parë cilësisë së ajrit në kryeqytet, por edhe nxitjes së qytetarëve për të përdorur më shumë transportin publik. Sipas tij, falë kësaj nisme, dje është shënuar dita e dytë më e pastër e ajrit në kryeqytet.

“Sot (dje) është dita e dytë e ‘Tirana pa makina’. Ka qenë një sukses që duam ta shpeshtojmë 1 herë në muaj, ndoshta edhe një herë në javë. Besoj se edhe rezultatet inkurajuese që morëm sot nga shërbimi i Ministrisë së Mjedisit është që, pas 22 shtatorit, kjo është dita e dytë më e pastër në Tiranë, nën nivelin e ndotjes të caktuar nga BE-ja”, tha kryetari i Bashkisë.

Duke u ndalur te nisma “Tirana dhuron” që Bashkia ka ndërmarrë prej një jave dhe që kulmon sot në ditën e Lumturimit të Nënë Terezës, Veliaj falenderoi të gjithë qytetarët që kanë dhuruar diçka në ndihmë të njerëzve në nevojë.

“Surpriza më e bukur ka qenë ‘Tirana dhuron’. Nesër është ‘Dita e Lumturimit të Nënë Terezës’ dhe besoj se mënyra më e mirë për ta përkujtuar është jo me fjalime, por me vepra konkrete. Falenderoj me gjithë zemër të gjithë aktivistët e ditës pa makina që menaxhuan koshat e dhurimit në Tiranë. Besoj që më shumë fitojnë ata që japin se sa ata që marrin, ndaj ju falënderoj nga zemra”, – tha Veliaj.

Gjithashtu, ai bëri të ditur se të gjitha sendet e dhuruara në kuadër të kësaj nisme, do t’i shpërndahen ditën e nesërme të gjitha institucioneve të shërbimit social dhe familjeve në nevojë.

“Shpresoj që të gjitha dhuratat që janë mbledhur në mënyrë eficiente të shpërndahen nesër, një mënyrë për të përkujtuar Nënë Terezën me një aksion konkret dhe jo me fjalime. Shumë aktivistë nesër do të jenë nëpër institucione sociale, 24 administratorët kanë listat e personave me ndihmë ekonomike dhe teksa afron dhe dimri besoj se shumë familje në nevojë do të jenë pak më të ngrohta, më të veshura, falë solidaritetit të Tiranës”, – theksoi Veliaj.

Ndërkohë, po gjatë ditës së djeshme kryetari i Bashkisë përuroi parkimin e ri publik të ndërtuar në sheshin “Italia”, i cili do jetë një parkim me 180 vende me pagesë, me një tarifë prej 1 mijë lekë ora.

“Më vjen mirë që sot, në ‘Ditën pa makina’, inaugurojmë një investim të Bashkisë së Tiranës si ky parking, i cili është investimi i parë i kompanisë publike të Bashkisë që do të administrojë parkimin tek sheshi “Italia”. Përurimi i një hapësire të re parkimi në qytet është mënyra më e mirë për të festuar ditën pa makina”, tha Veliaj.

Ai shtoi se ky është parkimi i parë publik që vjen si investim i Bashkisë së Tiranës, duke paralajmëruar se në javët në vazhdim të tjera hapësira të zëna do u kthehen qytetarëve si vende publike parkimi.

“Më vjen mirë që ky është investimi i parë i një serie investimesh. Javën tjetër ne do të vazhdojmë me një parking tjetër të ngjashëm publik, në sheshin përpara stadiumit ‘Dinamo’, pastaj do të vazhdojmë në sheshe të tjera, në të gjithë Tiranën”, – tha Veliaj.

Kryebashkiaku ka paralajmëruar gjithashtu se shumë shpejt Bashkia do të futë koncepte të reja të administrimit të parkingjeve publike, në mënyrë që ato t’iu vijnë në ndihmë qytetarëve, por duke orientuar sa më pak trafik drejt qendrës që qytetit.

“Shumë shpejt do të futim konceptin e metrave të parkimit në të gjithë shëtitoren, në rrugët kryesore. Njerëzit duhet të kuptojnë se, nëse duan të ecin me makinë në qendër të qytetit, ashtu si në çdo vend të botës, kjo kushton”, – tha kryetari i Bashkisë.

Veliaj shtoi se të ardhurat e parkimit të sheshi “Italia”, ashtu si edhe të ardhurat nga parkingjet e tjera publike, do të shkojnë në investime për më shumë korsi biçikletash dhe lulishte.

Gjatë ditës së djeshme, në kuadër të ditës pa makina dhe të nismës “Tirana dhuron”, Bashkia e Tiranës organizoi një sërë aktivitetesh që promovojnë jo vetëm vlerat e solidaritetit dhe një jetë të shëndetshme, por edhe prodhimet tradicionale të zonës, siç ishte edhe panairi i produkteve bio.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 8143