Afro 3 javë më parë kryetari i grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, shpërtheu kundër superdeputetit Koço Kokëdhima, jo vetëm për shkak të propozimit që bëri për të shtyrë kongresin e partisë, por edhe të shqetësimeve të shprehura nga deputetët e jugut.
Në mbledhjen deputetëve të jugut kundër Kokëdhimës, u shprehën edhe deputetët Valentina Leskaj e Fatmir Toçi, i cili i tha Kokëdhimës se e quan veten “komandant të Jugut” dhe se nuk pyet asnjë nga deputetët e tjerë.
Jashtë mbledhjes asnjëri nga socialistët nuk pranoi se ka patur debate me tone të ashpra.
Por një ditë më parë koordinatori i Jugut, Koço Kokëdhima, u bojkotua nga deputetët e zonës së tij, në mbledhjen që ai thirri në Teatrin “Petro Marko” me drejtorët e institucioneve të Qarkut të Gjirokastrës dhe të Vlorës. Fatmir Toçi, Valentina Leskaj, Anastas Angjeli dhe Arben Ahmetaj, nuk ishin të pranishëm.
Kanë munguar edhe drejtuesit e institucioneve të shtetit që janë propozuar nga LSI.
Kjo ishte mbledhja e parë që Kokëdhima zhvillon në Jug, pas përplasjes me deputetët e tjerë të zonës, të cilët mësohet se kishin kërkuar që ajo të drejtohej nga kryeministri Rama apo nga kryetari i grupit, Gramoz Ruçi.
Nisur nga fakti se kërkesa e tyre nuk është marrë në konsideratë, deputetët e Jugut e kanë shprehur në mënyrë demonstrative pakënaqësinë që kanë ndaj Koço Kokëdhimës.