Përfaqësues të Partisë Demokratike janë shprehur se duhet një draft i ri për reformën në drejtësi. Në një takim me gazetarët, Eduard Halimi është shprehur se rekomandimet e raportit të Venecias çmontojnë skemën e kapjes së drejtësisë, dhe duhet të jetë një udhërrëfyes i mirë.
“Draft raporti i Komisionit të Venecias analizon dhe gjen të drejta shqetësimet e opozitës për problemet që pasqyronte përmbajtja e draftit lidhur me kapjen politike të sistemit. Ky dokument çmonton skemën e kapjes së drejtësisë dhe është udhërrëfyesi më i mirë që të shkojmë drejt një pakete që do të largojë gjyqtarët e korruptuar, eleminimin e praktikave kooperativiste në sistemin gjyqësor dhe instalimin e mekanizmave të fortë e të qëndrueshëm llogaridhënës”, tha Halimi.
Halimi theksoi se drafti i ri duhet të hartohet nëpërmjet një procesi dialogu të sinqertë mes palëve, ashtu si dhe komisioni i dekriminalizimit.
“Mbështesim draft raportin dhe qëndrimin e mbajtur nga presidenti i Komisionit të Venecias se rruga në të cilën duhet të ecë reforma në drejtësi, rishikimi i draftit dhe hartimi i drafti të ri duhet të jetë si ajo e komisionit të dekriminalizimit, proces i vendosur në bazën e një dialogu të sinqertë mes palëve”, theksoi Halimi
Referuar dhe deklaratës së kryetarit të PD-së, Basha një ditë më parë, Halimi ftoi të gjitha palët politike dhe anëtarët e komisionit që në punën e tyre muajin e ardhshëm të zbatohet pikë për pikë draft raporti i komisionit të Venecias. Puna tha ai të vendoset në bazë të dialogut të sinqertë.