Stadiumi i ri i Kombëtares e ka ndezur fort debatin në politikën shqiptare.
Ndërsa opozita akuzon se ky është një veprim korruptiv, e përditshmja “Dita” shkruan për herë të parë se pas kullës që do të ndërtohet qëndrojnë njerëz të opozitës së dikurshme.
Ata shkruajnë se projekti për të përvetësuar këtë hapësirë të rëndësishme në Tiranë nisi në vitin 2011 me një vendim të qeverisë Sali Berisha.
Pas vendimit, sipas gazetës, qëndronte dyshja Aleksandër Frangaj dhe Armando Duka.
Projekti mbeti pezull pas fitores së PS në zgjedhje, por është rikthyer tashmë kur një firmë pret të ndërtojë stadiumin dhe një kullë ngjitur me të.
Gazeta aludon se kompania në fjalë njihet edhe si kompania e ish-ortakëve të Sokol Olldashit.
Por ndërsa aludimet e gazetës mbeten spekulime, fakt është se stadiumi “Qemal Stafa” është në listën e Monumenteve të Kulturës.
Gazeta shkruan se drejtoresha e Zyrës së Trashëgimisë Kulturore nuk ka pranuar të firmosë për prishjen e stadiumit, duke kërkuar më parë shfuqizimin e pjesës ligjore që e pengon.
Sipas Dritare.net, Kozeta Angjeliu refuzon të nënshkruajë marrëveshjen për projektin e “Arenës Kombëtare”, pasi stadiumi “Qemal Stafa” është në listën e Monumenteve të Kulturës.
I vetëdijshëm për debatin për këtë çështje, Edi Rama postoi para disa minutash një status në FB, duke theksuar se qeveria e tij është krenare për atë që ka bërë për trashëgiminë kulturore dhe në sport.
“Sot eshte Dita e Trashegimise Kulturore dhe Sportit, e cila na gjen kryelarte per gjithçka kemi bere e po bejme, per te mbrojtur trashegimine dhe mbeshtetur sportin, duke investuar ne keto dy drejtime ne 30 muaj, me shume energji e fonde se sa ne njezet e kusur vite te marra se bashku!
Bashkengjitur nje nga kantieret e mbrojtjes se trashegimise ne Korçe dhe kantieri i pallatit te ri te lojrave me dore ne Parkun Olimpik ne Tirane”, shkruan Rama në FB.