Të testojë e më pas të tërhiqet, është një taktikë që Edi Rama e praktikon shpesh.
Skemën e kryeministrit e pamë në veprim me projektin për hyrjen e Parkut të Liqenit, në kryeqytet.
Gara publike mes 9 projekteve, edhe ndërkombëtare, u kritikua gjerësisht edhe nga mbështetës të qeverisë.
Pasi testoi humorin e opinionit publik, Rama vendosi pezullojë projektin dhe asnjë fitues nuk u shpall në mbyllje të konkursit.
Të njëjtën praktikë – testo e tërhiqu – kryeministri e aplikoi edhe me taksat.
Që Qeveria po shikonte mundësinë të tatonte edhe pagat e ulëta deri në 30 mijë lekë, e pranoi në një lapsus, numri dy i Ministrisë së Financave, Erion Luçi.
Media njoftoi në kohë mbi këto plane të ekzekutivit, të cilat gjetën kundërshti edhe mes eksponentëve të mazhorancës.
Deputeti socialist, Erion Braçe, që drejton Komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat, shkruante më 7 gusht se nuk ishte e nevojshme të ndryshohej niveli i poshtëm i tatimit mbi të ardhurat nga puna.
“Ne kemi nevojë të mbledhim tatimet e taksat, vetëm kaq!”, shkruante Braçe, ndërsa shtonte se dështimi për të bërë këtë nuk mund të na kthejë pas, në tatime të reja e të rritura për punëtorët.
Kryeministri u tërhoq kur e pa se edhe mediat pranë tij nuk po e mbështesnin.
Në një editorial me titull “Të paqartë e të pasigurtë”, Mero Baze kritikonte hapur pikërisht mungesën e vendosmërisë së Ramës.
“Një politikan i qartë nuk ka frikë as t’i rrisë taksat as t’i ulë ato, dhe sidomos të mos debatojë për to. Një politikan i qartë i ka taksat kalë beteje dhe bën politikë me to, jo llogari”, shkruan ai, referuar kryeministrit.
Kristal i qartë mbi taksat u duk Ilir Meta, që jo vetëm nuk mbështeti planet e aleatit të tij kryeministër, por në një intervistë kritikoi ashpër politikat fiskale të Qeverisë, pasi nuk kanë prodhuar zhvillimin ekonomik dhe punësimin e shpresuar.
Në mungesë të qartësisë, Edi Rama la politikën dhe bëri llogaritë duke aplikuar përsëri skemën testo e tërhiqu.
Arsyen e sqaroi përsëri Mero Baze, sipas të cilit, debati i fundit për taksat, tregoi se: “Qeveria nuk i del dot zot publikisht gjërave dhe po fshihet si struci”./ABC