Nuk po fryjnë erëra të mbara për mazhorancën në pushtet.
Sidomos situata ekonomike është ajo që lë më shumë për të dëshiruar.
Edhe mediat pranë qeverisë duken të shqetësuara për këtë situatë.
Analisti Skënder Minxhozi, duke shkruar tek Java, thotë se nëse kryeministri Edi Rama nuk e shkund varkën ku është ulur, do marrë një grusht të fortë elektoral.
“Ja që gjendja nuk është krejt ashtu siç e pasqyrojnë votat e zgjedhjeve të fundit. Të atyre votimeve të cilat më shumë se kurrë funksionuan kësaj rradhe sipas parimit “Ne s’jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk ka”. Rrallëherë një batutë si kjo i ka shkuar kaq mirë një maxhorance, e cila e ka të vështirë t’i gëzohet faktit se qeveris pothuajse pa kundërshtar përballë. Ngecjet serioze në ekonomi, stanjacioni në investime, rezultatet gjithnjë e më pak rozë në taksa e tatime, bërrylat e FMN për të shbërë edhe ato që kanë qenë premtime solemne të Edi Ramës në fushatën e vitit 2013, lodhja e segmenteve të tëra të ekzekutivit dhe një bashkëpunim dukshëm i vështirësuar mes PS e LSI në të përditshmen e qeverisjes së shtetit – të gjitha këto nyje janë mbledhur tani në gurmazin e të majtës shqiptare dhe duhet mund e vullnet për t’i kaluar poshtë, pa u mbytur”.
“Rama duhet t’i japë një shkundje të fortë varkës ku është ulur, nëse nuk dëshiron të marrë një grusht elektoral dy vjet më pas. Shqiptarët kanë dëshmuar se dinë t’i gatuajnë hakmarrjet me vota në heshtje dhe brenda vetes, edhe kur sheshet gjëmojnë dhe kur politikanët ndjehen më të sigurt se kurrë se ja kanë arritur fitores. Fundja a nuk është hakmarrja një gjellë që hahet përherë e ftohtë?!” shkruan Minxhozi.