Gjatë një konvente të Forumit Rinor për Integrim, kryetari i Parlamentit dhe i LSI Ilir Meta dha një mesazh lidhur me reformën në drejtësi, duke përdorur si metaforë suksesin e kombëtares shqiptare të futbollit që u kualifikua në Evropian.
“Kur luante Shqipëria me Danimarkën, vajza ime e vogël ishte shumë nervoze, sepse kishte hall se mos pësonim gol nga Danimarka. Edhe unë u shqetësova sepse ajo ishte në një stres të madh. Sa herë që merrnin danezët topin, çohej në këmbë. I them “pse shqetësohesh kaq shumë?” Më tha se dua që Shqipëria të shkojë në Francë. “Po pse do që Shqipëria të shkojë në Francë?” “Që Shqipëria të bëhet e famshme”.
Dhe unë mendoj që Shqipëria tashmë është bërë e famshme në futboll falë punës, përkushtimit të lojtarëve tanë, të trajnerit tonë Gani Abazi (Xhani de Biazi) gjithashtu, FSHF-së, tifozëve kuqezi kudo. Në fakt politika duhet të bashkohet për çështjen e reformës në drejtësi siç bashkohen ultrasit e Tiranës me guerrilasit e Partizanit kur luan Kombëtarja. Sepse meqenëse vij nga Luksemburgu ku pata shansin të takoj shumë kryetarë të parlamenteve të vendeve të Bashkimit Europian, të gjithë e presin reformën në drejtësi si një mundësi për të mbështetur Shqipërinë, por dhe si një mundësi për të treguar në këtë kohë të vështira për zgjerimin e Bashkimit Europian, që ka mundësi që procesi i zgjerimit të përparojë, qoftë edhe në një vend të caktuar, si Shqipëria.
Por për këtë gjë, na duhet të bëjmë një sforcim. Në fakt nuk është sforcim, është një detyrim i natyrshëm, por e quajmë sforcim duke e konsideruar si normalitet normalitetin e deritanishëm të funksionimit të politikës sonë. Dhe që politika në mënyrë të natyrshme të ketë bashkëpunimin dhe dialogun, ka shumë më tepër hapësirë për të rinjtë që të marrin pjesë dhe të thonë fjalën e tyre zë plotë dhe me vizion siç bëtë edhe ju sot këtu. Ju uroj suksese dhe mbarësi!”, – u shpreh Meta.