Avokat Spartak Ngjela thotë se FBI ka zbuluar 80 për qind të parave të fshehura, brenda dhe jashtë vendit. Në një intervistë për gazetën “SOT”, avokat Ngjela thotë se strukturat që do të ngrihen në kuadër
të reformimit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, do t’i japin fund korrupsionit dhe abuzimit të zyrtarëve të lartë me paratë publike. Sipas tij, shuma e interceptuar e parave të korrupsionit është
shumë e madhe por, hetimi profesional që do të ndërmerret, do të dijë të gjejë edhe paratë e fshehura jashtë bankave. Avokat Ngjela po ashtu thekson se gjatë këtyre viteve pushteti ekzekutiv dhe gjyqësor kanë bashkëpunuar midis tyre në mënyrë të heshtur, por sipas tij tashmë ka ardhur koha që abuzuesit, ishkryeministrat, ish-ministrat dhe deputetët të jenë subjekt i hetimeve nga strukturat anti-korrupsion.
Ndërkaq, Ngjela komenton edhe për kushtin e PD për qeverinë teknike.
Sipas Ngjelës, qeveria teknike nuk do të realizohet.
-Reforma në drejtësi tashmë është fakt. Një prej ligjeve është miratuar dhe kjo pritet të ndodhë edhe me ligjet e tjera. Çfarë duhet të presin shqiptarët nga kjo reformë?
- Reforma në drejtësi nuk duhet parë thjesht si një akt i ri, sepse në karakterin më të fortë të saj ajo është politike. Ka një lidhje direkte midis drejtësisë së një vendi dhe politikës së re. Politika kërkon të sundojë, mundësisht pa ligj. Drejtësia nëpërmjet pushtetit gjyqësor e frenon në favor të shoqërisë. Kjo nuk ka ndodhur në Shqipëri për 25 vjet, për të mos thënë se nuk ka funksionuar
për 100 vjet: politika ka dominuar drejtësinë. D.m.th që shqiptarët nuk janë drejtuar por janë
sunduar nga pushtetet politike. Në funksion të arenës ndërkombëtareperëndimore, Shqipëria ka qenë quajtur gjithmonë një “vend i harruar” ose “tokë e harruar”. Kjo është arsyeja e sundimit korruptiv në historinë e shtetit shqiptar. Kjo është dhe arsyeja që në këto 25 vjet të rënies së
diktaturës, shqiptarët u sunduan nga korrupsioni dhe abuzimi. Por erdhi një kohë që Shqipëria nuk u konsiderua më një “tokë e harruar”. Sepse befas hyri në skakieret e politikës së lartë perëndimore. Ka një interes të madh amerikan për Shqipërinë. Ka një interes të madh gjerman për Shqipërinë. Politika amerikane e konsideron Shqipërinë një nga aleatet kryesore në Europë dhe ka vënë në veprim të gjitha autoritetet e saj, që ky vend të hyjë dhe të anëtarësohet në Bashkimin Europian. Ky është dhe interesi shqiptar dhe është hera e parë që interesi perëndimor dhe interesi shqiptar ecin paralel, njëlloj si në vitin 1912-1913, kur interesi shqiptar ecte paralel me interesin austro-hungarez. Në funksion të kësaj që shpreh, nuk mund të ketë aderim në Bashkimin Europian nëse shqiptarët nuk drejtohen me drejtësi dhe pa korrupsion e pa abuzim shtetëror. Kjo është filozofia e reformës në drejtësi. Pa bërë reformë në drejtësi, shqiptarët vetëm do të sundohen nga abuzuesit e tyre. Kurrë mos mendoni se deri tani shqiptarët kanë votuar të lirë; kurrë mos mendoni se shqiptarët deri më tani janë qeverisur me ligj; kurrë mos mendoni se në këta 25 vjet zhvillimi ka ardhur nga arsyeja shtetërore, por vetëm spontanisht nga ngulmimi shqiptar dhe lufta për mbijetesë që kanë bërë shqiptarët: të larguar nëpër kontinente, të mbytur në det, dhe punëtorë thuajse në të gjithë Perëndimin sepse vendi i tyre ishte abuziv. Të gjitha këto i eliminon përfundimisht reforma në drejtësi.
– Është fakt që FBI do të asistojë në strukturimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit në Shqipëri. Si mendoni, prezenca e FBI rrit kualifikimin e hetimit kundrejt liderëve politikë të korruptuar në Shqipëri?
- Po! FBI vjen për rritjen e kualifikimit të hetimit. Nuk mund të ketë drejtësi të pastër, në rast se nuk ka një hetim profesional! Hetimi në Shqipëri ka qenë dhe mbetet në krizë. Krijimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit është një hap përpara drejt pavarësisë së hetimit në Shqipëri
nëpërmjet profesionalizimit në funksion të faktit, provës dhe ndërtimit të figurës së krimit, në mënyrë që gjykatat të kenë në dispozicion praktika profesionale të mbështetura tek prova dhe arsyeja juridiko-penale. Ardhja e FBI në Shqipëri është eveniment historik, sepse FBI nuk është vetëm pjesë-marrëse për ngritjen profesionale të Byrosë Kombëtare të Hetimit, por sot ka një marrëveshje direkte midis qeverisë shqiptare dhe FBI. Ardhja e FBI në Shqipëri ka shqetësuar jo vetëm liderët e lartë të korrupsionit, por edhe klientelën e tyre. Mbani parasysh një gjë: hetimi tërësor që do të fillojë në Shqipëri në mënyrë profesionale dhe që aktualisht ka filluar në SHBA, është i spektrit të gjerë. Shqiptarët janë grabitur, janë shfrytëzuar dhe paratë e tyre janë depozituar
nga keqbërësit, politikanë ose jo. FBI dhe hetimi shqiptar duhet t’i interceptojnë, t’i mbledhin dhe t’ia kthejnë popullit paratë që janë grabitur. Kjo është një nga detyrat parësore të Byrosë së Hetimit. Shqipëria po hyn realisht në kohën moderne dhe hapi i parë i saj në hyrjen në këto kohë është shkatërrimi i “bandës së vjedhësve” që kanë krijuar varfërimin, pasigurinë dhe amullinë
shoqërore në Shqipëri. Byroja Kombëtare e Hetimit është risi në pikturimin e fytyrës së “modernitetit të shtetit shqiptar”. Ajo ishte një domosdoshmëri dhe ndërkohë është në pragun e
strukturimit të saj normal. Do të kemi kohë të flasim më gjerësisht për këtë çështje. Por megjithatë, na duhet të themi se nuk ka ndëshkim pa hetim, dhe nuk ka zbulim pa një hetim shkencor.
–Zoti Ngjela, sipas kësaj që ju shprehët më sipër, shqiptarët mund të kenë shpresë se do të gjenden paratë e fshehura nga korrupsioni shqiptar?
- Shqiptarët kanë një shpresë të sigurt sepse FBI që në këto momente është e gatshme të deklarojë; sipas burimeve të mija, ajo i ka gjetur 80 për qind të kontove të depozituara në bankat e vendeve off-shore dhe në banka të tjera, edhe kur këto kanë qenë me emra fiktiv ose emra të tjerë. Kam përshtypjen se shumë shpejtë, pasi reforma të ketë marrë formën e plotë, do të shikoni dhe denoncimin e emrave konkretë që do të bëhen për këtë çështje. Shuma e interceptuar është shumë e madhe, por hetimi profesional që do të ndërmerret do të dijë të gjejë edhe paratë e fshehura jashtë bankave.