Kreu i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Spartak Braho, kërkon vënien pas hekurave të Këshilltarit për Mbrojtjen të Presidentit të Republikës.
Ai i është drejtuar me një letër ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli, ku kërkon ndëshkimin e Pirro Ahmetajt, këshilltarit ushtarak të Presidenti Nishani, me pretendimin se dy ditë më parë Gjenerali i Brigadës, Ahmetaj, ka bërë deklarata të forta fyese kundër deputetëve anëtarë të këtij komisioni parlamentar, duke i identifikuar ata si “ish-sigurimsa, aleanca e kriminelëve, mediokër etj.”.
Letra, i ka shkuar për dijeni edhe kreut të shtetit Bujar Nishani dhe kryeparlamentarit Ilir Meta.
“Znj. Ministre, duke qenë se prononcimet publike të Ushtarakut Aktiv Gjeneral Brigade, Pirro Ahmetaj, vijnë në kundërshtim të hapur me kushtetutën dhe me ligjet në Republikën e Shqipërisë, me ligjet që normojnë veprimtarinë dhe drejtimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë kërkojmë: Nisjen e procedurave disiplinore për ushtarakun Pirro Ahmetaj me gradë Gjeneral Brigade, me detyrë Këshilltar Ushtarak pranë Presidentit të Republikës së Shqipërisë, vënien përpara përgjegjësisë ligjore si dhe marrjen e masave që parashikon ligji në këto”.
Në deklaratën e tij Ahmetaj e quan qasje sovjetikësh të aleancës së kriminelëve, sigurimsave dhe qelbësirave, votimin në Kuvend me 72 nga 100 vota të këtyre ligjeve.